Akreditohet Laboratori i Kontrollit të Cilësisë se Produkteve Medicinale

Image may contain: 5 people, suit

 

Pas përmbushjes së të gjitha kërkesave dhe rekomandimeve nga Departamenti i Akreditimit të Kosovës për plotësim të standardit 17025, sot në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, zyrtarisht u bë akreditimi i Laboratorit të Kontrollit të Cilësisë, me ç’rast Drejtori i departamentit të Akreditimit të Kosovës, Osman Hajdini i dorëzoi Kryeshefit Shala, Çertifikatën e akreditimit. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani si dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, të cilët fillimisht i bën vizitë Laboratorit, ku nga Drejtori Lufti Mulaku, u njoftuan me punën që bëhet në secilin sektor të këtij Laboratori. Me këtë rast kryeshefi ekzekutiv i AKPPM-së, Jeton Shala, theksoi se ky është vërtetim i punës cilësore që bëhet në këtë Laborator, pasi që, analiza e produkteve farmaceutike që qarkullojnë në Kosovë, edhe në të kaluarën është bërë me një vigjilencë të shtuar. “Edhe në të kaluarën, por sidomos tani pas dritës së gjelbër që na është dhënë nga Departamenti i Akreditimit të Kosovës, që Laboratori ynë të akreditohet, qytetarët e Republikës së Kosovës më shumë se asnjëherë tjetër duhet të kenë besim në produktet që ata konsumojnë, pasi sinjali pozitiv i këtij institucioni i cili kërkon kritere të shumta për plotësimin e standardeve, tregon që Laboratori ynë plotëson të gjitha kriteret e parapara për të bërë analizën e kontrollit të cilësisë së barnave”, tha mes tjerash kryeshefi Shala. Ai poashtu shpalosi sukseset tjera që e kanë karakterizuar AKPPM-në gjatë këtij 3 mujori, siç janë aprovimi i rregullores së brendëshme të AKPPM-së dhe Organogramit të saj nga Ministria e Administratës Publike, Funksionalizimi i Sistemit Online”Barnatari”. Me këtë rast, Kryeministri Isa Mustafa, përgëzoi Kryeshefin Jeton Shala dhe stafin profesional të LKC-së si dhe AKPPM-në në përgjithësi për punën e tyre të palodhëshme në jetësimin e këtij suksesi, siç e quajti ai, jetik për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Edhe për Ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani kjo është një e arritur e madhe, pasi siç tha ai, përmes akreditimit të këtij Laboratori, po dëshmohet zyrtarisht që nga këtu dalin produkte cilësore farmaceutike.