Promovohet regjistri i barnave 4

Ministria e Shëndetësisë, Agjencia e Kosoves për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe Shoqata e Farmacistëve të Kosovës, promovuan sot Regjistrin e Barnave 4, botim ky i përbashkët i këtyre institucioneve të fushës së shëndetësisë. Botimi i katërt i Regjistrit zyrtar të barnave në Republikën e Kosovës është vazhdimësi e punës së bërë nga autorët e këtij regjistri edhe në tre edicionet e kaluara, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që është dukshëm më i pasuruar se edicionet e kaluara si në përmbajtje ashtu edhe me informacione profesionale me 160 molekula të reja apo 613 lloje të ndryshme të barnave të regjistruara deri në muajin prill të këtij viti. Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se ky regjistër zyrtar mundëson përfitime shumë dimensionale për punëtorët shëndetësor që merren me menaxhimin e barnave, profesionistët shëndetësor, të cileve ua lehtëson punën në përshkrimin e barnave të regjistruara dhe që janë në tregun kosovar, por dhe për qytetarët e vendit, si përdorues të tyre, të cilët i ndihmon që t’i njohin barnat që janë të regjistruara në Kosovë. “ Nxjerrja e këtij regjistri flet edhe për rezultatet pozitive të cilat janë duke u shënuar në sektorin farmaceutik të vendit”, tha Ministri Rrahmani. Arianit Jakupi, ushtrues detyre i Kryeshefit të AKPPM-së, tha se ky botim është plotësuar me barna të reja të regjistruara deri në Prill të vitit 2015 dhe të gjitha të dhënat e prezantuara pasqyrojnë punën shumëvjeçare të Departamentit të Autorizimit për Marketing, Komisionit për Vlerësimin e Produkteve Medicinale dhe të AKPPM-së, pasi ky regjistër përmban ekskluzivisht vetëm barnat që janë të regjistruara , ato që kanë autorizim për marketing në Republikën e Kosovës. Shaip Krasniqi, profesor i lëndëve të Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë dhe një nga autorët e Regjistrit të barnave 4 , tha se ky regjistër është mjaft i avancuar sa i përket strukturës dhe përmbajtjes, madje më i avancuar se regjistrat e ngjashëm të vendeve të rajonit dhe produktet e prezantuara në të prezantohen përmes emrit gjenerik, grupit farmakoterapeutik, ATC kodit si dhe kategorisë së përdorimit të barnave në shtatzënësi. Dashnor Nebija, gjithashtu profesor në Farmaci dhe një nga autorët e regjistrit dhe se puna për editimin e regjistrit të radhës do të vazhdojë dhe synimi është që në të të përfshihen edhe preparatet tradicionale, ato bimore etj. Këtë regjistër, Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale do ta shpërndaj falas për farmacistët përgjegjës të barnatoreve që t’u shërbejë atyre në praktikën e përditshme në barnatore, në mënyrë që të kenë informatat e sakta lidhur me barnat e regjistruara në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, falas do t’u shpërndahet edhe mjekëve familjarë dhe specialistëve në rreth 2000 kopje, duke i njoftuar ata me barnat e regjistruara në Kosovë, me qëllim të ngritjes së standardeve të përshkrimit racional të barnave nga ana e tyre. Përfitues janë edhe kompanitë farmaceutike, pasi përmes këtij regjistri do të mundësohet edhe ngritja e standardeve për menaxhim më të mirë të barnave dhe pamundëson grumbullimin e stoqeve të barnave me afat të skaduar.