Publikohet Regjistri i barnave të regjistruara në Kosovë

Publikohet Regjistri i barnave të regjistruara në Kosovë

 Ministria e Shëndetësisë, Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, Fakulteti i Mjekësisë dhe Farmacisë si dhe Shoqata Farmaceutike e Kosovës promovuan sot në Prishtinë Regjistrin e Barnave 2014-Edicionin e tretë. Këtë regjistër, Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale do ta shpërndaj falas për farmacistët përgjegjës të barnatoreve që t’u shërbejë atyre në praktikën e përditshme në barnatore, në mënyrë që të kenë informatat e sakta lidhur me barnat e regjistruara në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, regjistri do t’u shpërndahet falas edhe mjekëve familjarë dhe specialistëve në rreth 1000 kopje, duke i njoftuar ata me barnat e regjistruara në Kosovë, me qëllim të ngritjes së standardeve të përshkrimit racional të barnave nga ana e tyre.

Arianit Jakupi, U.D. i Kryeshefit Ekzekutiv të AKPPM-së, tha se Regjistri i barnave 3 përmban rreth 2500 barna të formave të ndryshme farmaceutike të cilat përmbajnë mbi 600 molekula, pra substanca farmaceutike. “Puna në hartimin e këtij regjistri është bërë në bashkëpunim të Ministrisë së Shëndetësisë me Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe Shoqatës Farmaceutike të Kosovës. Roli i këtij regjistri është shumë i madh, ndërsa kemi rritur edhe tirazhin për shkak se në numrin e kaluar kanë qenë 1500 kopje dhe këtë e kemi botuar në 2000 kopje, të cilat do të ndahen falas në qendrat e mjekësisë familjare dhe nëpër barnatoret e Kosovës, dhe kjo është bërë me qëllim të përshkrimit të barnave të cilat janë të regjistruara në Kosovë”, tha Jakupi. Rexhep Hoxha, profesor i Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë, tha se ky regjistër përveç për profesionistët (mjekët dhe farmacistët) është një ndihmesë e madhe për kompanitë farmaceutike të cilat tregtojnë apo importojnë barna, dhe regjistri, gjithashtu, theksoi ai, ndihmon edhe në luftimin e tregut të zi. “Ky është numri tre i regjistrit zyrtar të barnave. Regjistri jep një ndihmesë në luftimin e tregut të zi të barnave që do të thotë se mjekët janë të obliguar që të përshkruajnë barnat pikërisht nga ky regjistër dhe po ashtu barnatoret të mbajnë barna të cilat do të thotë gjenden në këtë regjistër. Regjistri do të thotë përmban disa të dhëna duke filluar nga emri gjenerik i barit, nga grupi farmakoterapeutik, nga ATC kodi dhe nga kategoria e përdorimit të barit në shtatzëni. Pastaj, në kuadër të monografisë së shkurtët për secilin bar janë të përcaktuar indikimet, dozimi, kundërindikimet dhe për secilin bar do të thotë gjendet edhe tabela e gjitha paraleleve që gjenden në treg”, tha ai. Profesori Hilmi Islami, recensent i regjistrit, u shpreh se ky regjistër përfshinë të gjitha barnat që janë të regjistruara në Republikën e Kosovës. “Regjistri i barnave,përfshinë të gjitha barnat të cilat ndodhen në tregun farmaceutik kosovar. Përfshinë të gjitha barnat me emër të mbrojtur dhe me emër gjenerik, të cilat i lejon Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sistematizimi i librit është mjaft i qëlluar dhe është shumë praktik gjë që në fakt e mundëson që më lehtë farmacisti, mjeku dhe stomatologu ta shfrytëzojnë këtë doracak”, ka thënë ai. Rëndësinë e regjistrit e kanë vlerësuar edhe profesori i Farmacisë Shaip Krasniqi dhe kryetari i Shoqatës Farmaceutike, Agim Çaka. Në këtë publikun, u theksua gjithashtu se regjistri të ndihmojë edhe kompanitë farmaceutike pasi jep një pasqyrë të qartë për analizat e marketingut, duke ngritur standardet për menaxhimin më të mirë të barnave dhe duke pamundësuar grumbullimin e stoqeve të barnave e afat të skaduar. U paralajmërua se shpejt do të publikohet nga AKPPM edhe analiza e konsumit të barnave në Kosovë në tre vitet e fundit.